← All writing

A janë gati agjencitë shqiptare të marketingut për tregje të mëdha?

Duke iu afruar fundit të një dekade dinamike, të shënuar nga zhvillime të jashtëzakonshme në fushën e teknologjisë dhe komunikimit, shumë mundësi janë bërë të prekshme dhe reale edhe për popullin shqiptar. Qasja në informacion dhe rrjedhimisht në arsim, na bën ne qytetarë të botës po aq sa edhe shokët tanë…

A janë gati agjencitë shqiptare të marketingut për tregje të mëdha?

Duke iu afruar fundit të një dekade dinamike, të shënuar nga zhvillime të jashtëzakonshme në fushën e teknologjisë dhe komunikimit, shumë mundësi janë bërë të prekshme dhe reale edhe për popullin shqiptar. Aksesi në informacion dhe rrjedhimisht në arsim, na bën qytetarë të botës po aq sa edhe bashkëqytetarët tanë të vendeve të zhvilluara. Një zhvillim i tillë nuk përjashton mundësitë tona për të konkurruar dhe fituar në tregje dhe industri të paimagjinueshme para kësaj dekade.

Më konkretisht, agjencitë shqiptare të marketingut dhe komunikimit, të cilat janë pjesë e një industrie me pak ose aspak histori, e cila filloi të zhvillohet fillimisht në vitet 2000 në Shqipëri, në një kohë kaq të shkurtër kanë parë një zhvillim të paimagjinueshëm. Pas disa vitesh të një tregu kaotik pa rregulla loje, si në shumë fusha të tjera ekonomike gjatë periudhës së tranzicionit të Shqipërisë, industria është vetërregulluar përmes konkurrencës dhe cilësisë së kërkuar nga tregjet e mëdha.

Zhvillimi i talenteve vendase, futja e agjencive dhe eksperiencave të huaja në Shqipëri, punësimi i një brezi të ri të rritur me teknologji dhe informacion, ka sjellë lulëzimin e dukshëm, ku shumë agjenci shqiptare ofrojnë të njëjtat shërbime dhe cilësi si homologët e tyre ndërkombëtarë. Shërbimet janë rritur dhe perfeksionuar, duke siguruar kështu mbulimin e plotë të nevojave të një biznesi.

Mekanizmat e kërkimit, njohurive dhe anketave të biznesit dhe konsumatorëve janë tashmë të vendosura, si dhe ofrimi i zgjidhjeve bazuar në nevojat e tyre. Sipas këtij studimi, bizneset vendase nuk po i rrisin buxhetet e marketingut dhe konsumatori shqiptar mbetet i ulët në numër. Duke qenë se tregu vendas nuk është mjaftueshëm i madh për ta, atëherë pse të mos bëhen aktorë të rëndësishëm brenda tregjeve të mëdha agjencitë shqiptare të marketingut?

Ajo që duhet të na kënaqë si pjesë e kësaj industrie, ku çdo specialist dhe kompani është një faktor i një ndryshimi kaq të madh, është mundësia për të zgjeruar më në fund mentalitetin dhe ambicien tonë për të konkurruar në tregjet evropiane dhe botërore.

Në një industri që kërkon fillimisht trurin, idetë dhe së fundi përvojën për të finalizuar një shërbim apo produkt cilësor, duhet të jemi më optimistë sepse pavarësisht vendndodhjes së biznesit, nëpërmjet mjeteve të teknologjisë, tregjet nuk kanë kufij. Dhe kjo është edhe më e vërtetë se kudo tjetër për industrinë krijuese. Agjencitë shqiptare janë të denja jo vetëm të konkurrojnë, por të bëhen liderët e industrisë në Ballkan. Ka pasur një rritje profesionale të talenteve shqiptare për dizajnin dhe marketingun dixhital, në fakt, edhe më shumë se në vendet e tjera të Ballkanit, industritë e të cilave kanë qenë më të zhvilluara se e jona. Në Shqipëri, për shembull, për të ulur kostot tradicionale të marketingut, ka pasur nevojë për zhvillim dixhital më të shpejtë, madje më shpejt se në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi apo Serbinë, si e vetmja rrugë drejt së ardhmes.

 

Dhe duke qenë se baza është tashmë një realitet, le të shpresojmë që dekada e ardhshme të na gjejë në këto tregje.

 

Gerton Bejo

Themelues dhe CEO i Agjencisë Vatra

Tiranë / Prishtinë / Shkup